Edukimi në Vazhdim
Ministria përgjegjëse për shëndetësinë krijon program të detyrueshëm për edukimin e vazhdueshëm profesional, i quajtur "Programi i Certifikimit për Profesionistët e Shëndetësisë". Profesionistët duhet të mbledhin një numër të caktuar kreditesh të edukimit të vazhdueshëm profesional, sipas procedurave dhe kritereve të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Certifikimi është procesi që profesionisti i shëndetësisë përfundon me përmbushjen e kritereve të programit të certifikimit, i cili përputhet me afatet kohore të licencimit.
Profesionistët e kujdesit shëndetësor janë të detyruar që t'i nënshtrohen edukimit të vazhdueshëm, për të përditësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre, në mënyrë që të përmirësojnë cilësinë e kujdesit shëndetësor.
Profesionistit të shëndetësisë, që nuk përmbush kriteret e programit të certifikimit, i pezullohet/ndërpritet kontrata me institucionin shëndetësor dhe nuk i rinovohet leja e ushtrimit të profesionit nga urdhri profesional përkatës. Rifitimi i lejes së ushtrimit të profesionit bëhet vetëm pasi profesionisti i nënshtrohet provimit të certifikimit.
Provimi i certifikimit zhvillohet nga komisionet e provimit të certifikimit, të ngritura pranë strukturave të përcaktuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë për organizimin e provimit të certifikimit. Tarifat e provimit të certifikimit janë të njëjta me ato të provimit të shtetit dhe të ardhurat nga provimet e certifikimit i kalojnë strukturës përkatëse që zhvillon provimin e certifikimit.
Institucionet e kujdesit shëndetësor duhet të lehtësojnë edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të tyre. Ato janë të detyruara të hartojnë dhe të zbatojnë programe të akredituara të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e tyre.
Në rast se profesionistët e punësuar në institucionet publike të kujdesit shëndetësor nuk përmbushin kërkesat e programit të certifikimit, për drejtuesit e tyre merren masa disiplinore deri në lirim nga detyra.
Profesionistët e përfshirë në programin e certifikimit janë: mjekët, stomatologët, farmacistët e ndihmësfarmacistët dhe infermierët e mamitë, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ofrojnë shërbime shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe terciar dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Nuk përfshihen në program profesionistët që punojnë në administratë.
Ata profesionistë, të cilët mbushin moshën e daljes në pension brenda periudhës së programit të certifikimit dhe nuk kërkojnë rinovimin e lejes së ushtrimit të profesionit nga urdhri profesionist përkatës, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit.
Profesionistët, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik.
Profesionistët, të cilët punojnë me kohë të pjesshme, duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të programit si ata që ushtrojnë profesionin e tyre me kohë të plotë.
Brenda një cikli individual, farmacistët e ndihmësfarmacistët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 75 kredite.
Kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti;
Kredite të përfituara nga aktivitete të vetëraportuara të përllogariten deri në 20% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti.
Numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve të edukimit në vazhdim për farmacistët, dhe ndihmësfarmacistët është 5 kredite
Pjesa tjetër e krediteve të nevojshme përcaktohet nga zgjedhja e lirë e profesionistit, në bazë të nevojave individuale.