Njoftimet

Fjala Përshëndetëse e Presidentes Diana Toma, më 25 Shtator, për Ditën Botërore të Farmacistëve

Të nderuar pjesëmarrës!


Shpeshherë, jemi mbledhur në ditë dhe data të ndryshme, për të sjellë pranë njeri-tjetrit, e për të ndarë me njëri-tjetrin, copëza të përvojave profesionale, të arritjeve teknologjike- farmaceutike, mendime dhe propozime, për të cuar edhe më përpara zhvillimin e sektorit tonë, por për herë të parë po mblidhemi në një datë si kjo e sotmja, për t’u fokusuar te figura, e cila përmban shpirtin e profesionit që ne përfaqësojmë e që është ajo e farmacistit.


Vë theksin te kjo datë, pasi që prej vitit 2010, 25 shtatori më shumë se kujtdo, të cilin e lidhi fati rastësisht me këtë datë, na takon ne farmacistëve, pasi u vendos që të jetë dita ndërkombëtare e farmacistëve. Ky propozim, I cili u bë në Kongresin e FIP, në vitin 2009, I mbajtur në Stamboll e që më pas u votua pozitivisht, e bëri figurën tonë, të ketë një ditë simbol të vetën.


25 shtatori, nuk ishte një zgjedhje rastësore, por ishte data e cila, mbase është më kuptimplota për një përfaqësim ndërkombëtar të farmacistëve pasi, në 25 shtator të vitit 1912 u krijua FIP, një mekanizëm mbarëbotëror, i lidhjes së farmacistëve ndërkombëtar me njëri- tjetrin, sa i takon përfaqësimit të tyre profesional.


Kjo organizatë, e cila ka të njëjtën moshë sa dhe shteti ynë, numëron një anëtarësi prej mbi 3 milion farmacistësh, të shpërndarë në të tërë botën dhe që përfaqësojnë të tëra fushat e sistemit farmaceutik si:


-         fusha akademike,

-         klinike,

-         farmacite e rrjetit te hapur,

-         informimi mbi barnat dhe shendetin,

-         farmacite spitalor,

-         industrite farmaceutike,

-         bioteknologjia,

-         zbulimin e barnave,

-         formulimi dhe teknologjia farmaceutike,

-         produktet natyrore,

-         farmakokinetika, farmakodinamika dhe sistemet farmakologjike,

-         shkencat rregullatore,

-         terapite e personalizuara etj.

Nisur nga sa përmendëm më lartë, me sigurinë maksimale shprehemi se farmacisti, eshte shoqërues I domosdoshëm në rrugëtimin e shëndetshëm jetësor. Ky është një konkluzion i cili farmacistin e vlerëson në kuptimin e përgjithshëm, pasi fushat ku operon farmacisti janë të ndryshme, përfitimet e cdo fushe, po prapë janë të ndryshme, ndërsa grumbullimi dhe më pas sinkronizimi i marrëdhënieve me fushën tjetër brenda sektorit farmaceutik, na jep rezultatin e pritshëm, në funksion të jetës së qytetarit, qoftë ai pacient, qoftë ai i shëndetshëm.


Te nderuar kolege farmaciste dhe pjesemarres!


Jeta në komunitet, simbolikën e datave e përdor për të veçuar, identifikuar, vlerësuar gjëra të rëndësishme. Në komunitetin tonë, të dashur kolegë farmacistë, i shtrirë ky jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë globin, pavarësisht datës së ndryshme që kanë diplomat tona, pavarësisht numrit të ndryshëm të eksperiencave profesionale që ne kemi, pavarësisht fushave të ndryshme brenda sistemit farmaceutik ku ne kemi zgjedhur të jemi pjesë dhe të ofrojmë e aplikojmë dijet tona, të tërë ne, kemi një ditë dhe datë të vetme, që na përfaqëson në profesionin tonë të misionizuar, profesionin e farmacistit.


Gëzuar!