Historiku

10 VJET URDHRI I FARMACISTEVE TË SHQIPËRISË

 

Lindja e entit publik UFSH, erdhi si produkt nga zhvillimet shoqërore dhe politike e për pasojë dhe profesionale të vendit tonë, aderimit të Shqipërisë drejt Bashikimit Europian, e për pasojë shoqërimit të kësaj të fundit me lëvizjen e lirë të profesionistëve, që grupohen në radhën e profesioneve të rregulluara.

I tërë ky kuadër, krijoi kushtet që krahas institucioneve egzistuese të miratuara me ligj, të shikohej si domosdoshmëri dhe egzistenca e UFSH-së, paraprirë kjo në atë kohë, nga egzistenca e Urdhrit të Mjekëve sa i takon fushës së shëndetësisë.

Iniciativa ligjore e Ministrisë së Shëndetësisë, në dakortësi dhe në mbështetje të plotë kjo me Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, të asaj kohe, pati si konkretizim Ligjin 9150, datë 30.10.2003 ‘Për Urdhrin e Farmacistëve të Shqipërisë’. Publikimi i këtij ligji, në Fletoren Zyrtare Nr. 97, në dhjetor të vitit 2003, do të pasohej me Urdhrin Nr.43, datë 03.02.2004, të Ministrit Leonard Solis, ku në përmbajtje të tij, urdhërohej ngritja e komisonit të përkohshëm për organizimin e zgjedhjeve të para për Këshillat Rajonalë dhe të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Farmacistëve, ku në përbërje të të cilit ishin:

- Znj. Ruki Kondaj, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë në atë kohë;

- Z. Arian Jaupllari, Drejtori i Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë në atë kohë;

- Z. Vladimir Margjeka, Drejtor i Qëndrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave;

- Z. Besnik Bruci, Drejtor i Drejtorise së Çmimeve dhe Rimbursimit në ISKSH;

- Prof. Besnik Jucja, Përgjegjës i Departamentit të Farmacisë të Universitetit të Mjekësisë;

- Z. Lulëzim Ndreu, Shef i Sektorit Juridik pranë Ministrisë së Shëndetësisë;

- Dr. Vigan Saliasi, Kryetar i Shoqatës së Farmacistëve të Shqipërisë;

- Prof. Zef Sima;

- Z. Ramazan Gjyli, Specialist në Drejtorinë Farmaceutike të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky urdhër i Ministrit Leonard Solis, në mars të vitit 2004, u pasua me një vendim të Komisionit të përkohshëm të Urdhrit të Farmacistëve, ku përcaktonte se brenda muajit prill të vitit 2004, duhet të zhvilloheshin zgjedhjet për këshillat Rajonalë, në të 12 qarqet e vendit dhe se në muajin maj të po këtij viti, qe përcaktuar të zhvillohej mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme, ku do të zgjidhte Këshillin Kombëtar, Presidentin, Zv. Presidentin e Urdhrit të Farmacistëve, gjithashtu në këtë vendim përcaktohej dhe numri i anëtarve të secilit Rajon. Ky urdhër, përmbante dhe formatin e Këshilit Kombëtar, i cili ruhet dhe sot e kësaj dite, ku përveç 12 Presidentëve të Këshillave Rajonalë, Presidentit të UFSH-së dhe Zëvendësit të tij, ka të përcaktuar përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Departamentit të Farmacisë dhe ISKSH-së (sot Fondi).

Ky ligj, do të gjente zbatimin e tij në vitin 2006, ku UFSH-ja do të merrte një trajtë konkrete të funksionimit të saj dhe më 29 mars të vitit 2006, organi më i lartë vendimmarrës i këtij enti, që është Këshilli Kombëtar, do të zhvillonte mbledhjen e parë të tij. Ky Këshill përbëhej nga:

- Z. Arian Jaupllari, President i UFSH-së;

- Prof. Besnik Jucja, Zv. President;

- Znj. Trëndelina Sahatçiu, Presidente e Beratit;

- Z. Haxhi Losha, President i Dibrës;

- Z. Ismail Babamusta, President i Durrësit;

- Z. Kadri Abdihoxha, President i Elbasanit;

- Z. Gramoz Brahja, President i Gjirokastrës;

- Z. Alfred Çela, President i Fierit;

- Z. Olsi Papa, President i Korçës;

- Z. Zenun Muja, President i Kukësit;

- Z. Arben Pjetri, President i Lezhës;

- Z. Bashkim Laçaj, President i Shkodrës;

- Z. Vigan Saliasi, President i Tiranës;

- Z. Ymer Hitaj, President i Vlorës;

- Z. Kastriot Zotaj, Përfaqësues i Shoqatës së Farmacistëve;

- Znj. Diana Toma, Përfaqësuese e Sindikatës së Farmacistëve;

- Z. Adrian Gjinishti, Përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë;

- Znj. Vilma Papajani, Përfaqësuese e Departamentit të Farmacisë;

- Znj. Etleva Korkuti, Përfaqësuese e ISKSH-së;

- Z. Kliti Hoti, Përfaqësues i Përfaqësive Farmaceutike;

Kjo mbledhje dhe të tjera që e pasuan gjatë atij viti, do të ruhen gjatë jo vetëm në kujtesën e pjesëmarrësve që ishin në to, por janë dhe një moment shumë i rëndësishëm në vetë historikun e UFSH-së, pasi vendimet e këtyre mbledhjeve, do përcaktonin strukturën dhe dokumentat bazë për vijueshmërinë e punës së këtij institucioni. Një pjesë e tyre konkretisht referuar kuotizacioneve apo tarifave të regjistrimit, vazhdojnë të pandryshuara edhe sot e kësaj dite.

Pas përcaktimit të Statutit, rregulloreve si dhe përpjekjeve të stafit modest të UFSH-së, për përfshirjen e të gjithë farmacistëve në antarësinë e këtij enti, detyrim tashmë ligjor ky, UFSH në çdo moment egzistencën e vet e pa domosdoshmërisht të përfshirë në mënyrë active në të gjitha veprimtaritë, të cilat do të kishin në qendër të tyre farmacistin dhe mënyrën e të ushtruarit të profesionit të tij. Do të ishte hartimi i Kodit Etik dhe Deontologjik, dokumenti i cili do të përmblidhte në mënyrë konçize të tëra parimet, që një profesionist i farmaceutikës duhet të zbatojë dhe, për UFSH-në, do të ishte mëse e qartë se si duhej dhe duhet të kontrollojë, por para së gjithash të kurojë figurën e anëtarit të vet. Gjejmë vend për të falenderuar, Prof. Zef Simën, Prof. Viron Xhillarin, Znj. Eni Jucja, të cilët kontribuan krahas drejtuesve të UFSH-së, për mundësimin e këtyre dokumentave të rëndësisë së veçantë për UFSH-në.

Gjithashtu gjejmë vend të falenderojmë Shoqatën e Farmacistëve të Shqipërisë, Shoqatën e Farmacistëve Grosistë, Shoqatën e Përfaqësive Farmaceutike, Sindikatën e Pavarur të Farmacistëve të Rrjetit të Hapur, të cilët ishin mbështetës të hapave të parë të UFSH-së.

Ritheksojmë, fillimi i funksionimit të UFSH-së ishte mjaft modest, veçanërisht, sa i takon kapaciteteve financiare dhe logjistike, ndonëse dëshira dhe preokupimi i atyre që e kishin marrë tashmë përsipër, ishte mbreslënës. Baza financiare ishte fondi i dhënë nga qeveria në vitin 2006 dhe këtu gjejmë vend për të falenderuar Kryeministrin, Kryetarin e Komisionit Parlamentar dhe Ministrin e Shëndetësisë së asaj kohe, por një falenderim shumë i madh për gjestin e tyre shkon dhe për Z. Petrit Maho, Znj. Eli Kanani, Z. Petrit Doksani, Znj. Ermelinda Mulita, Z. Jani Karathano, të cilët me mundësitë që paten, bënë donacionet e para për buxhetin e UFSH-së, ç’ka tregon se UFSH-ja në sytë e farmacistëve kishte marrë trajtën e shtëpisë së madhe që u takonte të tërve. Kjo shtëpi e përbashkët, në fund të vitit të parë të hapjes së saj, do të mblidhte rreth vetes, 632 farmacistë. Në vitin 2010, 1324 farmacistë, në vitin 2013, 2178 farmacistë dhe aktualisht jemi me një numër prej 2963 antarësh.

Gjatë rrugëtimit 10 vjeçar, UFSH-ja ka zhvilluar 3 proçese zgjedhore në rang vendi, ku e para siç e përmendëm ishte nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa dy të tjerat, konkretisht ajo e vitit 2009 dhe vitit 2013 u realizua në mënyrë të pavarur nga vetë strukturat e UFSH-së. Nga këto dy proçese zgjedhore, nga komuniteti i farmacistëve, si dhe nga drejtuesit e proçesit, u vërejt një kulturë qytetare në mënyrën e zhvillimit të tyre.

Ligji, Urdhrin e Farmacistëve e vesh me përgjegjësinë e përfaqësuesit ligjor të profesionistëve farmacistë dhe që të jesh i tillë për anëtarët e tu, duhet që të kesh një përfaqësim real dhe aktiv në të tëra momentet kur kërkohet një sintezë profesionale, në të tëra momentet kur sistemi që ti përfaqëson është në faza të vendosjes së piketave për zhvillimin e tij, të ndërhysh në zhvillimin dhe përmirësimin e detyrimeve dhe detyrave të farmacistit, por në çdo moment dhe të dish t’i mbrosh ato nga interferenca të cilat, duke mos dhënë një impakt pozitiv tek profesionisti i kujdesit shëndetësor, në mënyrë të drejtpërdrejtë do japin pasoja të papëlqyera dhe në garancitë që një profesionist shëndetësie ka për mision të japi.

Të udhëhequr nga kjo frymë, UFSH, gjatë aktivitetit të saj mund të rendisë pjesmarrjen aktive në të tëra ndryshimet ligjore që kanë ndodhur nga koha e krijimit dhe deri më sot. Rendisim këtu aktivitetin 10 vjeçar të UFSH-së dhe reagimet e saj lidhur me ndryshimet që kanë ndodhur ndër vite në ligjin e Barnave dhe Shërbimit Farmaceutik, kontratat e ndryshme fond-farmaci, ligjin për Profesionet e Rregulluara, ligjin për Kujdesin Shëndetësor, rregulloret mbi Proçesin e Edukimit në Vazhdim, ligjin për Kontributin e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, mendime mbi listën e barnave të rimbursueshme, mbi ndihmës farmacistët, ligjin për Urdhrin e Farmacistëve, mbi marzhin e tregëtimit të barnave, mbi vendosjen e TVSH-së, por dhe mbi mënyrën e heqjes së saj, etj. Për vet kontekstin dhe rrethanat e zhvillimeve në Shqipëri, këto forma të përfshirjes së UFSH-së, nuk u panë si ndërhyrje ku profesionistët e sektorit farmaceutik të ndikojnë me përvojat profesionale dhe teknike në përfitimin e një ligjshmërie, e cila të bazohet në mendimin dhe përvojën profesionale e për pasojë të dijë ta orientojë atë, por si ndërhyrje të një institucioni sa për proçedure, ose dhe si ndërhyrje të panevojshme të institucionit të UFSH-së. Ky qëndrim i njëanshëm i institucioneve shtetërore ka çuar deri aty sa për të përfituar ‘një qetësi institucionale’, kanë parapëlqyer që UFSH-së t’i mohojnë të drejtën e përfaqësimit në Borde të ndryshme. Përmendim këtu largimin e UFSH-së nga Komisioni i Çmimit të Barnave, ndonëse është ky çmim i cili ka të inkluduar dhe pjesën e vlerësimit profesional, largimin e UFSH-së nga Këshilli Administrativ i FSDKSH-së, ndonëse kontrata Farmaci- Fond bazë për realizimin e saj ka shërbimin farmaceutik.

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, si përfaqësues ligjor i mendimit profesional është përpjekur të rekomandojë për dokumente të rëndësishme të farmaceutikës shqiptare, mendime, përvojë, gjykim, thjesht dhe vetëm profesional, në pavarësi të plotë të ngjyrimeve politike e për pasojë dhe të qëndrimeve të tyre. Kjo ka sjellë në situata të ndryshme atakime të cilat nga UFSH vlerësohen si të panevojshme, pasi nuk japin produkte të vlerësueshme pozitivisht as për profesionistin e as për pacientin, e për rrjedhojë dhe për efektin e dokumentit që i prodhon ato. Mendimi profesional dhe politika janë dy forma të ndryshme të zhvillimeve në një shoqëri, por kjo parë vetëm nga jashtë, pasi një profesion që të zhvillohet veç aspektit profesional ka nevojë të mbështetet dhe në bazën ligjore për zhvillimin e saj, e ky i fundit është produkt veç i politikës. Ndaj, ky është shkaku që e ka detyruar UFSH-në që ndër vite të mos pranojë të bëjë rolin e institucionit pasiv, apo mbështetësin formal të interesave të farmacistëve në zhvillimin e ligjshmërisë, e cila jep përcaktime me efekt të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë në farmaceutikë.

UFSH, ka qenë e prirur drejt bashkëpunimit me grupime të ndryshme si shoqata apo sindikata brenda sektorit farmaceutik. Vlen të përmendet, reagimi i përbashkët i Presidentit të UFSH-së Z. Jaupllari dhe Kryetares së Sindikatës së Farmacistëve të rrjetit të hapur Znj. Toma, lidhur me ndryshimin e marzhit të tregëtimit të barnave, vendosjes së TVSH-së etj. Këto reagime, kanë qenë të shtrira si në Komisionin e Shëndetësisë të asaj kohe e deri tek Kryeministri i vendit.

Gjithmonë në përmbushje të detyrimeve që ligji ka përcaktuar për UFSH-në, kam dëshirë të përmend nenin 1 të dispozitave të përgjithshme të Ligjit për Urdhrin e Farmacistëve, ku shprehimisht thuhet ‘‘Për ruajtjen e cilësisë së lartë të shërbimit farmaceutik dhe për zbatimin e rregullave të moralit e të etikës profesionale farmaceutike, krijohet Urdhri I Farmacistëve’’, ligj ky, që me zhvillimin ndër vite, e konkretisht me ndërhyrjet në vitin 2014, u vesh dhe me rolin e garantit të proçesit të edukimit në vazhdim, ku për të qenë korrekt e ndiej për detyrë të citoj “Urdhri I Farmacictëve garanton që anëtarët e Urdhrit të përmbushin detyrimet e programit të ricertifikimit tv vendosur nga institucioni përkatës”.

Kjo garanci, kërkon kontroll të figurës së profesionistit, por para së gjithash kërkon kujdes, kërkon përkushtim, si dhe strategji konkrete për kurimin e figurës së tij. Një formë që na e mundëson realizimin me sukses të detyrimit që ligji na ka ngarkuar, është proçesi i Edukimi në Vazhdim në sektorin farmaceutik, ku UFSH ka rezultuar dhe si ofrues mjaft i sigurt.

Sot, UFSH ka arritur që në sajë dhe të bashkëpunimit, ti mundësojë falas në të gjitha rajonet e vendit, më shumë se dyfishin e krediteve të detyrueshme për ta në vit.

Proçesi i Edukimit në Vazhdim, nuk do arrihej të ishte në këto nivele, në qoftë se nuk do ishte mbështetur paraprakisht nga stafi akademik i Departamentit të Farmacisë të asaj kohe, ku mund të përmendim Prof. Vilma Papajani, Prof. Ledjan Malaj, Prof. Suela Këlliçi, Prof. Asoc. Mirela Miraçi, drejtuar nga Prof. Besnik Jucja, Dekani i parë i Fakultetit të Farmacisë. Gjithashtu, nuk do ishte realizuar me kaq sukses në qoftë se nuk do të kishim mbështetjen e një sërë emrash të shquar në fushën e mjekësisë, ku mund të përmendim emrin e Prof. Jovan Basha, Miftar Barbullushi, Polikron Pulluqi, Anila Aliko etj. Në këtë proçes, nuk janë lënë pa përfshirë emra profesionistësh, të cilët me pasionin e tyre kanë kërkuar të hedhin hapa zhvillimi gjatë ushtrimit të profesionit. Përmendim këtu, Prof. Rilinda Klosi, Dr. Josif Risto, Z. Henrik Prendushi etj. UFSH, ka shërbyer si një mbështetje dhe për profesionistët e rinj, shumë prej të cilëve janë përfshirë në aktivitete të ndryshme të saj. Ne si institucion, në 10 vjet rrugëtim kemi realizuar me sukses 3 Konferenca Farmceutike, përkatësisht në vitet 2011, 2013, 2014 dhe në datë 27, 28 Tetor të vitit 2016, zhvillojmë Konferencën e IV-t. Po në kuadër të organizimeve cilësore, UFSH ka qenë bashkë-organizator në konferencat e zhvilluara me instiucione akademike si Zoja e Këshillit të Mirë dhe Albania University. Bashkëpunim mjaft i sukseshëm, ka qenë ai me Kooperacionin Zvicerian, ku meritë ka Z. Fabian Cenko, i cili mundësoi trajnimin, e më pas organizimin nga UFSH, në fillim të vitit 2015, Edukim në Vazhdim në distancë, i pari i këtij lloji në aktivitetet e UFSH-së, e që rezultoi i suksesshëm.

Proçesi i Edukimit në Vazhdim, UFSH-në e afroi në një bashkëpunim mjaft korrekt me institucionin e QKEV-së. Falë këtij bashkëpunimi, u arrit që proçesi i riçertifikimit, i pari në përvojën e fushës së farmaceutikës dhe të shkencave të tjera shëndetësore, në korrik të vitit 2015, si moment mjaft kyç në përgjegjësinë e UFSH-së, të kurorëzohet me sukses. Në këtë proçes, të tërë farmacistët aktivë të sistemit farmaceutik u pajisën me leje të ushtrimit të profesionit për 5 vjeçarin 2015-2019, bazuar kjo në përcaktimet ligjore. Paraprirës të këtij proçesi, ishin një sërë përcaktimesh në Statutin e UFSH-së, të cilat kishin për qëllim orientimin drejt formalizimit si dhe shmangien e konfliktit të interesit, tek ai individ që përmbush të tëra kriteret për të ushtruar profesionin e farmacistit në Shqipëri. Kjo tendencë, përkoi dhe me frymën që udhëhoqi veprimtarinë e institucioneve shtetërore, atë të luftës kundër informalitetit. Në këtë kuadër, UFSH u bë pjesë aktive sa i takon sektorit farmaceutik, shprehur kjo dhe në takimin me Kryeministrin në shtator të vitit 2015, ku UFSH, gjithmonë në përmbushje të misionit të vet, shtroi një sërë problematikash për sektorin farmaceutik dhe që ndërhyrja për rregullimin e tyre, do të çojë gjithmonë vetëm në stabilizimin e këtij sektori. Mund të përmendim kërkesën për: formalizimin e dhënies së barit dhe mënyrat e dhënies së tij, rishikimit dhe emetimit të recetës tip, marrdhënien Fond-Farmaci, përditësimit të listës OTC. Kjo e fundit u realizua gjatë këtij viti me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, ku në grupin e punës Urdhri Farmacistëve kishte përfaqësuesin e vet.

Gjithmonë, mbështetur në idenë se kërkesa e llogarisë është e domosdoshme, por vjen gjithmonë pas bërjes me dije, UFSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në vitin 2015, inicioi dhe realizoi një trajnim të zgjeruar në rang Republike, për të gjithë farmacistët që ushtronin veprimtari farmaceutike në rrjetin e hapur, për t’u njohur me legjislacionin tatimor, me të drejtat dhe detyrimet që ky legjislacion u vesh farmacistëve që ushtrojnë një aktivitet privat në të gjithë Shqipërinë. Ky trajnim, u pa i domosdoshëm nga UFSH, pasi në konceptin tone, figura e farmacistit gjatë periudhës akademike të tij, shërben për një profilizim të ngushtë, por ne e shohim atë si një figurë e cila duhet plotësuar në shumë drejtime. Në këtë moment, UFSH e ndiente për detyrim karshi antarësisë së vet, që të bëhej ura lidhëse midis farmacistëve dhe orientimit drejt njohurive mbi legjislacionin tatimor, që këta të fundit të mos penalizoheshin në aktivitetin e tyre nga administrata tatimore.

Institucioni i UFSH-së, për vetë natyrën e punës së tij, marrdhënie ka pasur me institucionin e Qëndrës Kombëtare të Liçensimit, aktualisht Qëndra Kombëtare e Biznesit, që në fazat e para të krijimit të tij. Na vjen mirë të përmendim, se marrdhënia me këtë institucion, me kalimin e viteve është shoqëruar me një mënyrë të kuptuari drejt të frymës së bashkëpunimit, ku në të nuk kanë mungur dhe momentet e konsultimeve reciproke, si në kuadër të proçedurave ashtu edhe të vakumeve ligjore. Po në kuadër të frymës së bashkëpunimit, në vitin 2014, Urdhri i Farmacistëve, firmosi një memorandum bashkëpunimi me Komisionerin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, duke marrë përsipër të jetë korrekt me të gjithë kuadrin ligjor që ky i fundit përcakton.

Veprimtaria e një Urdhri professional, do të mbetej e cungët nëse ajo do të rritej dhe zhvillohej e ngujuar vetëm brenda kufijve shtetëror. Parë me këtë qëllim, UFSH-ja gjithmonë është karakterizuar dhe ka mirëpritur çdo tendencë bashkëpunimi, si me urdhrat e vendeve fqinj por dhe më gjerë. Hapi i parë i zgjerimit të fushës së veprimtarisë, por dhe i shkëmbimit të eksperiecave jashtë vendit, ishte antarësimi në përfaqësimin mbarë botëror të farmacistëve, që është FIP-I. Meritë e madhe dhe një falenderim i veçantë për këtë realizim, shkon për profesor Viron Zhillarin, i cili vuri në funksion të antarësimit të UFSH-së në FIP dhe influencat e tij personale. Po në funksion të saj, në harkun kohor, fundi i vitit 2015 e gjatë vitit 2016, është realizuar një marrveshje bashhkëpunimi, e cila është konkretizuar me krijimin e një Unioni, midis Urdhrit të Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Krocisë, Sllovenisë, Sërbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bullgarisë dhe Kosovës, kjo e fundit e krijuar në qershor të vitit 2014, drejtuar nga Prof. Zehadin Gashi, tek i cili kemi gjetur ekuivalentin sa i takon dëshirës për të bashkëpunuar dhe për të dhënë më të mirën në mënyrë të përbashkët. Gjithashtu, vlerësojmë shumë vendosjen e urave të bashkëpunimit me Urdhrin e Farmacistëve të Romës, përfaqësues të të cilit kemi edhe sot këtu. Gjejmë vend të falenderojmë Dr. Ridvan Nepravishtën, një farmacist me jetë akademike, që jetën profesionale e ka të dyzuar midis Shqipërisë dhe Italisë dhe që shërbeu si urë lidhëse midis dy urdhrave të të dy vendeve respektive.

Në sistemin shëndetësor, aktualisht egzistojnë katër Urdhra profesinalë. Në vlerësimin tonë, puna e UFSH-së do mbetej po e cungët, në qoftë se marrdhënia e bashkëpunimit nuk kapërcente kufijtë e sektorit tonë. Me kënaqësinë maksimale, pohojmë faktin se kjo dashamirësi në bashkëveprim, ka gjetur të njëjtën tendencë dhe nga Urdhrat e tjera brenda sektorit shëndetësorë, ndaj, e kam për kënaqësi të falenderoj Presidentin e Nderit të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Z. Dine Abazi, Presidentin e Urdhrit të Mjekëve, Z. Fatmir Brahimaj, Presidentin e Urdhrit të Infermierit, Z. Sabri Skënderi, Presidentin e Urdhrit të Stomatologëve, Z. Nikoll Deda.

Rol përcaktues në veprimtarinë e UFSH-së, ndonëse UFSH ka një ligj të vetin organik, gjejmë dhe në ligjin e Enteve Publike dhe në atë të Profesioneve të Rregulluara. Është ky i fundit, si dhe Rregulloret e Praktikës Profesionale dhe Rregullorja e organizimit dhe zhvillimit të provimit të shtetit, të cilat i ngarkojnë UFSH-së një detyrë dhe përgjegjësi shumë të madhe, pasi e veshin me kompetencën e zhvillimit të proçesit të praktikës profesionale, e cila kurorëzohet me nënshtrimin e të diplomuarve në Vlerësimin e Aftësimit Praktik, e më pas atë të regjistrimit dhe të  përcjelljes pranë AKP-së të tërë studentve të cilët kanë kaluar me sukses diplomomin, Vlerësimin e Aftësimit Praktik, e tashmë janë të gatshëm ti nënshtrohen dhe provimit të shtetit, në mënyrë që të rreshtohen krahas profesionistëve aktivë në sektorin farmaceutik.

Duam të theksojmë, se gjatë viteve 2011 -2012, Urdhri I Farmacistëve, luajti një rol shumë aktiv për konkretizimin e provimit të shtetit, në mënyrë që studentët e diplomuar në vitin 2010, të kishin mundësi t’i nënshtroheshin këtij provimi e që më pas të dilnin në jetë.

Që në fillimet e këtij proçesi, UFSH-ja është karakterizuar nga një korrektësi në të gjitha proçedurat e regjistrimeve që ka bërë, çka u vërtetua dhe nga proçesi i inspektimit të të gjitha dosjeve nga cikli i parë që është sezoni I pare I 2012 deri në sezonin e fundit të 2015, nga një grup pune i ngritur me urdhër të përbashkët të Ministrit të Shëndetësisë dhe Ministrit të Arsimit dhe Sportit. Korrektësia dhe serioziteti, kanë qenë ato shtysa që kanë bërë UFSH-në, të reagojë në institucionet kompetente si Ministria e Arsimit apo ajo e Shëndetësisë, për problematika të ndryshme të cilat barteshin nga institucione të ndryshme arsimore të liçensuara në vendin tonë. Përcjellja e këtyre problematikave, nuk ka pasur për qëllim asnjëherë të bërin faktor UFSH-në më shumë se sa ligji përcakton, por thjesht dhe vetëm se UFSH ka një detyrim ligjor që duhet ta përmbushë, por ka dhe një shpirt profesional të cilin kërkon ta ruajë të pastër.

Përpjekja e UFSH-së, për të pasqyruar mendimet, qëndrimet, opinionet e veta në lidhje me zhvillimet në sektorin farmaceutik, shoqëruar kjo dhe me problematikat që sjellin këto zhvillime, nuk është karakterizuar nga një mbyllje brenda mureve të këtij institucioni, por nga një frymë e hapur gjë që konkretizohet dhe me pjesmarrjen aktive në median e shkruar apo vizive. Për këtë, gjej vend të falenderoj, atë pjesë të gazetarisë e cila ka pasur dëshirën dhe ka tentuar të hulumtojë e më pas të pasqyrojë problematika të sistemit farmaceutik, të cilat sjellin pasoja të shtrira jo vetëm brenda këtij sistemi.

Të tëra pasqyrimet e mësipërme të veprimtarisë së UFSH-së ndër vite, janë karakterizuar nga një vendimmarrje në grup, për vetë natyrën që ky institucion ka, por realizimi është mbështetur tërësisht në punën e palodhur të administratës së UFSH-së, ndaj e ndjej detyrim moral që asaj t’i drejtoj një falenderim të veçantë.

Periudha 10 vjeçare në institucionin e UFSH-së është karakterizuar me dy momente apo faza zhvillimi:

Së pari, Krijimi i UFSH-së;

Së dyti, pjesmarrja e UFSH-së në të gjitha momentet e rrugëtimit farmaceutik, ku ka tagër ajo të përfaqësojë.

Të dyja këto proçese të paraprira nga ligji, kanë qenë në mbështetje dhe në plotësim të njëra tjetrës. Për sistemin farmaceutik është përkthyer përfaqësim në formë të ligjshme, e për UFSH-në, një rritje institucionale nga zhvillimet brenda sistemit dhe profesionit që ajo përfaqëson.

 

Presidente e UFSH-së

Diana TOMA

Tetor 2016