Takimi me drejtues të FSDKSH - 02.10.2015
Të nderuar kolegë!Me datën 02.10.2015 një përfaqësi e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë e kryesuar nga presidentja Znj. Diana Toma, e përbërë nga drejtues dhe anëtarë të këshillave rajonalë, zhvilloi një takim me drejtues të FSDKSH të kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e komanduar Znj. Milva Ekonomi.
Në takim përfaqësuesit e UFSH ripërsëritën shqetësimin për ndryshimet e njëanshme dhe penalizuase të kontratës F 2015 të formuluara në kundërshtim me pikat 2, dhe 4 të Kapitullit “Zgjidhja e konflikteve”
2 “Asnjë nga palët nuk mund të ndryshojë kushtet e kësaj kontrate në mënyrë të njëanëshme”
4-“Me marrëveshje, palët bëjnë ndryshime dhe plotësime të kësaj kontrate duke nënshkruar Shtojcë- Kontratën përkatëse”.
Në takim, nga UFSH u kërkua shfuqizimi i disa pikave të Shtojcë Kontratës si:
Pika 8 e kapitullit “Detyrimet e Farmacisë, nëntitulli Detyrime të përgjithshme”
“Farmacia është e detyruar të paraqesë pranë Drejtorisë Rajonale faturën tatimore për shumën e njohur për rimbursim.”
Pika 5 e kapitullit “ Detyrimet e Farmacisë, nëntitulli Detyrimet specifike”
Farmacia të ekzekutojë recetat saktësisht sipas udhëzimeve në fuqi. Në asnjë rast nuk do të rimbursohen recetat të cilave u mungon një prej elementeve të meposhtëm….”
Gjithashtu përfaqësuesit e Urdhrit ngritën shqetësimin mbi likujdimin e shumës së rimbursuar brenda afateve që përcakton kontrata, inventarizimet tendencioze, mungesa për një kohë të gjatë e altërnativave të para të barnave, penalizimi nga mosfunksionimi i sistemit online, monopolizimin e disa barnave nga shpërndarës të caktuar duke krijuar problem me furnizimin me to dhe imponimin për të blerë dhe barna të tjera, ndryshimi i paargumentuar i marzheve të tregëtimit të barnave, interpretime dhe zbatime të ndryshme nga drejtoritë rajonale të udhëzimeve të nxjerra nga FSDKSH etj.
Gjatë procesit të negocimit të kontratës farmacistët do përfaqësohen nga një grup pune i ngritur me përfaqësues të UFSH nga të gjitha rajonet.
U kërkua dhe u ra darkort që brenda javës së parë të muajit Dhjetor farmacistët të njihen me formën përfundimtare të kontratës për vitin pasardhës.
U ra dakort që kontrata e re të nënshkruhet brenda datës 25 Dhjetor 2015.
U kërkua që lidhja e kontratës së re F 2016 të përkojë me hyrjen në fuqi të listës së re të rimbursimit në mënyrë që të evitohen inventarizimet e panevojshme.
U kërkua shfuqizimi i disa pikave të Udhezimi Nr. 31 Dt. 26.12.2014 ‘ Për Lidhjen e kontratave me farmacitë dhe agjencitë farmaceutike për vitin 2015” sit ë pambështëtura në legjislacionin në fuqi, aktet nënligjore apo rregulloret përkatëse. Konkretisht pikat që kanë të bëjnë me kriteret për farmacitë që lidhin kontratë për herë të parë, si: sipërfaqa e farmacisë 50 m2, genplanin, largësia 150 m nga farmacia ekzistuese me kontratë etj.
FSDKSH i arsyetoi ndryshimet e kontratës F 2015 bazuar në rekomandimet e bëra nga Njësia Antikorrupsion e Kryeministrisë, pas zbulimit të abuzimeve me recetat fictive. Ky arsyetim u hodh poshtë nga ana e UFSH me argumentin se në akt kontrollin e hartuar nga Njësia Antikorrupsion e Kryeministrisë theksohet se përgjegjes dhe përfitues të abuzimeve me recetat fictive janë vetë drejtuesit e FSDKSH dhe te Drejtorisë Rajonale Tiranë dhe jo farmacistët të cilët zbatojnë rigorozisht pikat e kontratës madje penalizohen pa drejtë për gabime që nuk janë përgjegjësi e tyre .
Drejtuesit e FSDKSH u shprehën se janë të gatshëm të rishikojnë disa pika të shtojcë kontratës.
Për këtë qëllim u vendos që:
- Për problemin e faturës tatimore, përfaqësues nga të dy institucionet të komunikonin zyrtarisht me DPT.
- Për rishikimin e pikës 8 Në kapitullin Detyrimet e Farmacisë, nëntitulli Detyrime të përgjithshme, FSDKSH u shpreh se brenda një jave do kishte një zgjidhje konkrete.
Fatkëqësisht FSDKSH akoma nuk i eshte permbajtur përmbajtur marrëveshjes, dhe ka ndërprere komunikimin me UFSH.
Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë kërkon nga FSDKSH që të jetë serioz , bashkëpunues dhe komunikues për probleme të cilat shqetësojnë pothuaj gjithë sistemin farmaceutik.