Ligjshmeria

Regullore e Zgjedhjeve, e përditësuar

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

URDHRI I FARMACISTËVE

KËSHILLI KOMBËTAR

RREGULLORE PËR ZGJEDHJET

 

Kjo rregullore është hartuar dhe miratuar në bazë të ligjit nr. 9150, datë 30.10.2003 “Për Urdhrin e Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë” dhe Statutit të UFSH, miratuar me vendimin nr. 6 datë 18.05.2006, i ndryshuar, të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.

 

PJESA I

PARIME TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

 

Ky akt përcakton rregullat për përgatitjen, organizimin, zhvillimin dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për të gjitha organet e zgjedhura të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH).

Neni 1/1

Në këtë rregullore termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1.      “Data e zgjedhjeve” është data e votimit, e caktuar me vendim të Këshillit Kombëtar.

2.      “Kandidat” është një anëtar i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, i regjistruar si kandidat për President i UFSH, për anëtar të Këshillit Rajonal, për President i Këshillit Rajonal ose për anëtar i Komisionit Disiplinor, në përputhje me këtë rregullore dhe që plotëson kriteret e përcaktuara nga Ligji dhe Statutit i UFSH, për të cilin do të votohet në zgjedhje.

3.      “KVK” është Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave.

4.      “Lista e zgjedhësve” është dokument zyrtar i zgjedhësve që buron nga Regjistri Themeltar i UFSH, për cdo Këshill Rajonal.

5.      “Qendër votimi” është ambienti i caktuar për zhvillimin e votimit, në përputhje me këtë rregullore.

6.      “Rezultat përfundimtar i zgjedhjeve” është rezultati i shpallur nga KAV në përputhje me këtë rregullore.

Neni 2

Parimet

1.      Të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur e gëzon çdo anëtar i UFSH-së.

2.      Votimi është vetjak. Vota nuk mund të delegohet.

3.      Votimi është i fshehtë dhe presupozon të paktën më shumë se një kandidat për numrin e vendeve që votohen.

4.      Zgjedhja e kandidatëve bëhet me vullnet të lirë dhe në mënyrë të fshehtë, sipas rregullave të parashikuara në këtë Rregullore.

5.      30% e listes se kandidateve duhet te jene nga secila gjini.

6.      Nuk lejohet promovimii kandidatëve nga individë grup individësh apo subjekte tregëtare, në përputhje kjo me ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

 

Neni 3

Marrja e vendimit për zgjedhje

1.      Vendimin për zgjedhjet e merr Këshilli Kombëtar (KK) i UFSH-së, jo më vonë se 1 muaj përpara përfundimit të mandatit të organeve të zgjedhura.

2.      KK i UFSH-së cakton datat e zgjedhjeve për anëtarët e këshillave rajonale nga asambletë rajonale, dhe zgjedhjen e presidentit dhe zëvendës presidentit të Këshillit Rajonal (KR) nga anëtarët e Këshillit Rajonal, si dhe datën e zgjedhjes së presidentit dhe zëvendës presidentit të UFSH-së nga Këshilli Kombëtar.

3.      KK i UFSH-së përcakton mënyrën e administrimit të kadidaturave si dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për të gjitha organet e zgjedhura të UFSH.

 

Neni 3/1

Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes.

Neni 3/2

1.      Këshilli Kombëtar zgjedh Komisionin e Vlerësimit të Kandidaturave.

2.      KVK përbëhet nga 3 anëtarë njëri nga të cilët duhet të jetë jurist.

3.      KVK bazuar në kriteret e përcaktuara nga këshilli kombetar dhe nga ligji bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura për anëtarë të komisioneve disiplinore, anëtarë të këshillave rajonalë, president dhe zv. President te këshillave rajonalë, President dhe zv. President të UFSH.

4.      KVK shpall listën e kandidatëve jo me vonë se 5 ditë përpara datës së përcaktuar për zgjedhje dhe ia paraqet këtë listë KAV.

Neni 4

Masat përgatitore

1.      Këshilli Kombëtar i UFSH-së miraton grafikun e zhvillimit të mbledhjeve zgjedhore të Asambleve Rajonale dhe të Asamblesë së Përgjithshme si dhe cakton të deleguarit për ndjekjen e zgjedhjeve.

2.      Këshilli Kombëtar i UFSH-së shqyrton dhe miraton materialet zgjedhore, për zhvillimin e zgjedhjeve.

3.      Zyra e UFSH-së përgatit të gjitha materialet zgjedhore, organizon shpërndarjen e tyre, ndihmon për zbatimin e kërkesave të Statutit dhe rregullores për zgjedhjet.

 

Neni 5

Materialet zgjedhore

Materialet e nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve janë si më poshtë:

1.      Fletët e votimit për Presidentin dhe Zëvendës Presidentin e UFSH-së dhe të çdo Këshilli Rajonal (KR) janë të formatit A4, përmbajnë logon e UFSH-së dhe vulën e thatë të KK të UFSH-së. Në këto fletë shkruhen në mënyrë elektronike, të renditur sipas alfabetit emrat e kandidatëve për president dhe zëvendës president, pas shpalljes së tyre nga Komisioni Vlerësimit të Kandidaturave.

2.      Fleta e votimit për anëtarët e Këshillave Rajonalë është format A4, që përmban logon e UFSH-së dhe vulën e thatë të KK-së. Në fletën e votimit shkruhen në mënyrë elektronike, të renditur sipas alfabetit emrat e kandidatëve për anëtarë të KR, pas shpalljes së tyre nga komisioni përkatës.

3.      Vula e njomë që përdoret për fletën e votimit në Këshill Kombëtar është vula e Këshillit Kombëtar dhe për Asamblenë Rajonale (AR) është vula e Këshillit Rajonal.

4.      Lista e zgjedhësve të Asamblesë së Përgjithshme përgatitet nga zyra e UFSH-së. Përmban emrat e anëtarëve të AP, të renditur sipas alfabetit.

5.      Lista e zgjedhësve të Asamblesë Rajonale, përgatitet nga Këshilli Rajonal në bashkëpunim me zyrën e UFSH-së dhe përmban emrat e të gjithë anëtarëve të UFSH-së që ushtrojnë profesionin e tyre në rajonin përkatës, të renditur sipas alfabetit.

6.      Procesverbalet për procesin zgjedhor janë 3 tipe: procesverbalet e marrjes në dorëzim të materialeve zgjedhore (mod.D/1 dhe D/2), procesverbalet e zgjedhjes së Presidentit dhe Zëvendëspresidentit të UFSH-së nga Këshilli Kombëtar (Mod. V/1 dhe V/2), procesverbalet e zgjedhjeve në Asamblenë Rajonale (mod. V/3, V/4 dhe V/5), procesverbalet e zgjedhjes së anëtarëve të komisionit disiplinor të shkallës së parë (mod. V/6).

7.      Vendimet që merren janë të 3 tipeve: Vendimet për zgjedhjen e Presidentit dhe Zëvendëspresidentit të UFSH-së, Vendimet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Rajonal dhe për zgjedhjen e Presidentit dhe Zëvendëspresidentit të Këshillit Rajonal.

8.      Kutitë e votimit sigurohen nga zyra e UFSH-së. Për zgjedhjet në Këshillin Kombëtar të presidentit dhe zëvëndës presidentit përdoren 2 kuti, për zgjedhjet nga Asambleja Rajonale të anëtarëve të Këshillit Rajonal dhe anëtarëve të Komisionit disiplinor të Shkallës së I, përdoren 2 kuti dhe për zgjedhjen e presidenit dhe zëvëndës presidentit të KR përdoren 2 kuti.

9.      Dhomat e fshehta, dy për çdo qendër votimi, sigurohen nga zyra e UFSH-së.

 

PJESA II

ZGJEDHJET NË KËSHILLIN KOMBËTAR

Neni 6

Organizimi i mbledhjes zgjedhore

1.      Mbledhja drejtohet nga anëtari i Këshillit Kombëtar më i vjetër që është prezent në mbledhje. Procesverbali i mbledhjes mbahet nga sekretari i Përgjithshëm i UFSH-së.

2.      Këshilli Kombëtar, i përbërë nga Presidentët e Këshillave Rajonalë, një përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, një përfaqësues i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, një përfaqësues i Fakultetit të Mjekësisë, zgjedh Presidentin dhe Zëvendëspresidentin e UFSH-së.

3.      Kandidaturat për President dhe Zëvendëspresident administrohen nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave i përcaktuar nga Këshilli Kombëtar.

4.      Lista e kandidatëve për President dhe Zëvendëspresident të UFSH-së shpallet jo më vonë se 3 ditë para datës së caktuar për mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

5.      Këshilli Kombëtar mblidhet në datën e caktuar për zgjedhjet me vendim të Këshillit Kombëtar.

6.      Zyra e UFSH-së është përgjegjëse për njoftimin zyrtar të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ku përcaktohet data, ora dhe vendi i mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

7.      Njoftimi bëhet jo më vonë se 3 ditë para datës së mbledhjes.

 

Neni 7

Zhvillimi i zgjedhjeve

1.      Zgjedhjet administrohen nga Komisioni i Administrimit të Votimit (KAV) i përbërë nga 3 anëtarë të cilët caktohen nga KK. Cdo kandidat ka të drejtë të caktojë një person si vëzhgues gjatë procesit të zgjedhjeve.

2.      Komisioni i Administrimit të Votimit zgjedh me votim të hapur Kryetarin, Zv/kryetarin dhe Sekretarin e këtij Komisioni.

3.      Komisioni i Administrimit të Votimit duhet të marrë masat e nevojshme për të siguruar paanësinë e anëtarit që voton, lehtësinë e votimit dhe fshehtësinë e votës.

4.      Komisioni i Administrimit të Votimit para fillimit të votimit merr në dorëzim me proçesverbal nga zyra e UFSH, materialet zgjedhore. Pas përfundimit të proçesit, këto materiale i kthehen me proçesverbal përseri Zyrës së UFSH-së.

5.      Kandidatët në qoftë se dëshirojnë mund të paraqesin platformat e tyre brenda një intervali kohor prej 10 minutash.

 

Neni 8

Procedura e votimit

1.      Komisioni i Administrimit të Votimit pas kryerjes së detyrave të përcaktuara në nenin 7 të kësaj rregulloreje, deklaron hapjen e proçesit të votimit.

2.      Kryetari i KAV thërret për votim emrin e secilit anëtar, sipas listës emërore dhe bën identifikimin e votuesit me Kartën e Anëtarësisë ose dokument tjetër  identifikimi.

3.      Fleta e votimit në momentin që i jepet çdo zgjedhësi firmoset nga Kryetari, Zv/kryetari, Sekretari i komisionit dhe vuloset.

4.      Çdo votues kur merr fletën e votimit firmos në listën e zgjedhësve.

5.      Votimi bëhet në dhomën e fshehtë dhe fletët pasi palosen hidhen në kutitë përkatëse të votimit. 

6.      Komisioni i Administrimit të Votimit merr vendim për mbylljen e votimit, pasi voton dhe zgjedhësi i fundit i pranishëm për të votuar.

 

Neni 9

Numërimi i votave

1.      Në përfundim të votimit Kryetari i Komisionit shpall mbylljen e votimit dhe hap kutitë e votimit njëra pas tjetrës, në prani të anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

2.      Fletët numërohen dhe njoftohet përputhshmëria e tyre me numrin e pjesëmarrësve në votim.

3.      Komisioni verifikon vlefshmërinë e fletëve të votimit, veçon dhe vendos në zarf fletët e votimit të pavlefshme.

4.      Fleta e votimit konsiderohet e pavlefshme në rast se: është votuar për më shumë ose më pak kandidatë se numri i përcaktuar në fletën e votimit; kur nuk është e qartë se për cilin është votuar; kur fleta përmban shënime që mund të zbulojnë identitetin e zgjedhësit; kur zgjedhësi ka bërë shënime të tjera ose ka futur në listë një person që nuk është përfshirë në kandidim, kur fleta e votimit është e bardhë.

5.      Komisioni u tregon anëtarëve të pranishëm në sallë çdo fletë votimi dhe lexon me zë të lartë kandidaturën e zgjedhur.

6.      Në përfundim të numërimit hartohet procesverbali përfundimtar, nënshkruhet nga anëtarët e Komisionit dhe shpallet rezultati i votimit.

7.      Fituese shpallet kandidatura që ka marrë numrin më të madh të votave të vlefshme. Në rast se nuk ka fitues për shkak të numrit të barabartë të votave, votimi përsëritet për kandidatët që janë renditur të parët, me numër të barabartë votash.

8.      Fletët e votimit, lista e zgjedhësve, procesverbalet dhe vendimet ruhen në zyrën e UFSH-së për 6 muaj nga dita e votimit.

 

Neni 10

Organizimi i mbledhjes zgjedhore të Asamblesë Rajonale

1.      Asambleja Rajonale zgjedh anëtarët e Këshillit Rajonal.

2.      Asambleja Rajonale mblidhet në datën e caktuar për zgjedhjet me vendim të Këshillit Kombëtar.

3.      Lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillave Rajonale, president dhe zëvendës president shpallet jo më vonë se 3 ditë para datës së caktuar për mbledhjen e Asamblesë Rajonale.

4.      Njoftimi bëhet jo më vonë se 3 ditë para datës së mbledhjes.

5.      Në procesin e votimit marrin pjesë anëtarët e Asamblesë Rajonale të regjistruar në listën e zgjedhësve.

 

Neni 11

Zhvillimi i zgjedhjeve në Asamblenë Rajonale

1.      Mbledhja drejtohet nga Presidenti i Këshillit Rajonal dhe i deleguari i Këshillit Kombëtar.  Procesverbali i mbledhjes mbahet nga sekretari i Këshillit Rajonal.

2.      Zgjedhjet administrohen nga Komisioni i Administrimit të Votimit (KAV) i përbërë nga 3 anëtarë të cilët zgjidhen nga Këshilli Rajonal, jo më vonë se 5 ditë para datës së caktuar për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Rajonal.

3.      Komisioni i Administrimit të Votimit zgjedh me votim të hapur Kryetarin, Zëvendëskryetarin dhe Sekretarin e këtij Komisioni.

4.      Komisioni i Administrimit të Votimit duhet të marrë masat e nevojshme për të siguruar paanësinë e anëtarit që voton, lehtësinë e votimit dhe fshehtësinë e votës.

5.      Komisioni i Administrimit të Votimit para fillimit të votimit merr në dorëzim me proçesverbal nga zyra e UFSH, materialet zgjedhore. Pas përfundimit të proçesit, këto materiale i kthehen me proçesverbal përseri Zyrës së UFSH-së.

 

Neni 12

Procedura e votimit

1.      Komisioni i Administrimit të Votimit pas kryerjes së detyrave të përcaktuara në nenin 7 të kësaj rregulloreje, deklaron hapjen e proçesit të votimit.

2.      Kryetari i KAV thërret për votim emrin e secilit anëtar sipas listës emërore dhe bën identifikimin e votuesit me Kartën e Anëtarësisë ose dokument tjetër  identifikimi.

3.      Fleta e votimit në momentin që i jepet çdo zgjedhësi firmoset nga Kryetari, Zëvendëskryetari, Sekretari i Komisionit dhe vuloset.

4.      Çdo votues kur merr fletën e votimit firmos në listën e zgjedhësve.

5.      Votimi bëhet në dhomën e fshehtë, fleta pasi paloset hidhet në kutinë e votimit. 

6.      Komisioni i Administrimit të Votimit merr vendim për mbylljen e votimit, pasi voton dhe zgjedhësi i fundit i pranishëm për të votuar.

 

Neni 13

Numërimi i votave

1.      Në përfundim të procesit të votimit Kryetari i Komisionit shpall mbylljen e votimit dhe hap kutinë e votimit në prani të anëtarëve të AR.

2.      Fletët numërohen dhe njoftohet përputhshmëria e tyre me numrin e pjesëmarrësve në votim.

3.      Komisioni verifikon vlefshmërinë e fletëve të votimit, veçon dhe vendos në zarf fletët e votimit të pavlefshme.

4.      Fleta e votimit konsiderohet e pavlefshme; në rast se është votuar për më shumë ose më pak kandidatë se numri i përcaktuar në fletën e votimit; kur nuk është e qartë se për cilin është votuar; kur fleta përmban shënime që mund të zbulojnë identitetin e zgjedhësit; kur zgjedhësi ka bërë shënime të tjera ose ka futur në listë një person që nuk është përfshirë në kandidim, kur fleta e votimit është e bardhë.

5.      Komisioni u tregon anëtarëve të pranishëm në sallë çdo fletë votimi dhe lexon me zë të lartë kandidaturën e zgjedhur.

6.      Në përfundim të numërimit hartohet procesverbalin përfundimtar, nënshkruhet nga anëtarët e komisionit dhe shpallet rezultati i votimit.

7.      Fituese shpallen kandidaturat që kanë marrë numrin më të madh të votave të vlefshme. Në rast se kandidaturat e fundit që mbyllin listën fituese kanë marrë një numër të barabartë votash, palët hedhin short ndërmjet tyre.

8.      Fletët e votimit, lista e zgjedhësve, procesverbalet dhe vendimet ruhen në zyrën e UFSH-së, për 6 muaj nga dita e votimit.

 

Neni 14

Zgjedhja e Presidentit dhe Zëvendëspresidentit të Këshillit Rajonal

1.      Këshilli Rajonal i porsa zgjedhur nga AR, zgjedh Presidentin dhe zëvendëspresidentin e këshillit.

2.      Mënyra e votimit, e fshehtë ose e hapur, vendoset me konsensus nga anëtarët e KR.

3.      Në rastin e votimit të fshehtë, procedurat zhvillohen në përputhje me nenet 12 dhe 13 të kësaj rregulloreje.

 

Neni 15

Hyrja në fuqi

Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë.

 

Miratuar me Vendimin nr. 5 të Këshillit Kombëtar të UFSH-së, datë 30.10. 2009, ndryshuar me Vendimin Nr.15 të Këshillit Kombëtar të UFSH-së, datë 09.09.2013, Vendimin Nr.  1, të Këshillit Kombëtar të UFSH-së, datë 10.09.2018.