Njoftime

Reagimi i UFSH-se mbi kerkesen e FSDKSH-se per dhenie mendimi per kontraten F - 2016

REPUBLIKA E SHQIPËRISË URDHRI I FARMACISTËVE KËSHILLI KOMBËTAR

Drejtuar: Znj. Milva Ekonomi
Drejtoreshe e Përgjithshme e Komanduar e FSDKSH-së
Për dijeni: Z. Edi Rama
Kryeminister i RSh
Z. Ilir Beqaj
Ministër i Shëndetësisë

E nderuar Znj. Ekonomi
Me anë të shkresës Nr. 2977 datë 07.09.2015 ju na bëni me dije se institucioni që ju drejtoni është në fazën e mbledhjes së mendimeve për hartimin e kontratës së F 2016. Gjithashtu na keni vënë një afat për dërgimin e mendimeve në funksion të kontratës F 2016 nga institucioni ynë.
Në datë 02/09/2015 me anë të shkresës Nr. 617 Prot, UFSH ju ka kërkuar Ju zhvillimin e një takimi ku ekspertë të UFSH-së si dhe përfaqësues të farmacistëve të rrjetit të hapur, të diskutonin me Ju në lidhje me:

  1. Njëanshmërinë e theksuar të kontratës dhe shtojcës F 2015.
  2. Penalizimin me të padrejtë të farmacisë për elementë të recetës, plotësimi dhe kontrolli i të cilave, s’është as kompetencë e për rrjedhojë as detyrim i farmacistit.
  3. Vonesat pa asnjë justifikim të likuidimit të recetave.
  4. Problemin që shkaktohet me organet tatimore nga plotësimi i formularit të faturës tatimore sipas mënyrës së diktuar prej jush.
  5. Gropën e likuiditeteve depo- farmaci si pasojë e futjes së recetave me përshkrim të barnave mbi 1 muaj.
  6. Boshllëkun e tregut farmaceutik me barna të alternativave të para, fenomen ky real, por i mohuar nga institucioni juaj si dhe me favorizimin e krijimit të monopoleve prej disa depove të cilat duke përfituar nga situata i diktonin farmacisë të merrte me detyrim dhe barna të tjera vec atyre që farmacisë realisht i nevojiteshin.
  7. Kërkesën për informacion, në qoftë se institucioni që ju drejtoni, ka bërë apo jo një studim mbi fitimin e farmacisë, pasi ju jeni një ndër institucionet përgjegjëse për efektet negative financiare të shkaktuara në farmaci. Ju a kërkojmë ju këtë informacion pasi institucioni juaj është një ndër ato institucione që ka bërë propozim për ulje të marzhit të tregëtimit të barnave si dhe përdorimin e marzhit të diferencuar i cili ne na duket i pa vend. Nëqoftëse ju e keni një studim të tillë, ju kërkojmë ta reklamoni apo të na e vini në dispozicion që të kemi mundësi të shohim sa real është.
  8. Duam të dimë se mbi c’bazë ligjore apo rregullore, Fondi ka hartuar kushtet dhe mënyrat e lidhjes së kontratës me farmaci të hapura rishtaz apo që kanë përfunduar penalitetin e vendosura nga Fondi me heqje kontrate ose me rilidhje të kontratave të ndërprera. Kriteret e vendosura s’bazohen mbi mënyrën e hapjes së farmacisë në Shqipëri dhe as mbi rregullin se sa kjo farmaci duhet të ketë sipërfaqen.
  9. Formulimi sic KA parashikon lë shteg vec për abuzime dhe ju kujtojmë që vetë Fondi është një institucion që e ka monopol blerjen e shërbimit farmaceutik.
  10. Duam të dime, në një kohë kur fryma e qeverisë është ajo e bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore, urdhrave profesionalë dhe shoqatave të ndryshme, gjë që u shpreh qartë dhe në bashkëbisedimin e zhvilluar me Kryeministrin e vendit dt. 10.09.2015, mbi c’baza Ju injoroni përfaqësimin dhe përfaqësuesit e një sistemi të tërë sic është ai farmaceutik?!- në një kohë kur ky i fundit ka një institucion të krijuar me ligj për t’a përfaqësuar atë. Ky qëndrim është hasur nga ne jo vetëm në institucioni tuaj qëndror por dhe në degët tuaja të shtrira në rrethe të ndryshme.
  11. Mbi c’baza bashkëpunimi kontraktual, fryme profesionale, ligjesh, zhvillimesh ekonomike mendoni se funksionon një kontratë dypalëshe shitje-blerje (shitet shërbimi nga farmacia dhe blihet nga Fondi) ku ai që ofron shërbimin e që më pas i’a shet shtetit atë, s’gjen të pasqyruara dhe të mbrojtura në mënyrë të saktë e konform ligjit pozitat e veta profesionale dhe për rrjedhoje dhe ato ekonomike?

Parë në këtë aspekt, për ne si përfaqësues të farmacistëve, Ju me anë të kësaj shkrese, në qëllimin tuaj real s’keni mbledhje mendimesh për kontratën F 2016, por thjesht jeni duke kryer një procedure, të cilin do t’a arkivoni e më pas do të na e servirni si argument për të treguar “frymën e bashkëpunimit”, pasi kur i referohesh realitetit ka vite që ky s’ekgziston. Mbetemi të paqartë për faktin se si është e mundur që të interesoheni për të planifikuar zgjidhjen drejt dhe saktë të një kontrate që i takon së ardhmes, kur po vetë Ju sapo keni realizuar me sukses firmosjen e detyruar të një penalizimi masiv për farmacistët dhe sistemin farmaceutik. Kur nuk ka tendencë (për të mos thënë që e keni bërë qëllimisht) rregullimin e gabimeve të freskëta, si mund të besojmë e të kemi garanci në “qëllimin e mirë” që Ju mundoheni të na paraqisni në shkresën Nr. 2977 Prot.

Si përfundim e nderuar Znj. Ekonomi, për një mbarëvajtje jo thjesht në letër të këtij procesi, ne si UFSH pasi jemi konsultuar me antarësinë që përfaqësojmë kemi dalë në përfundimin se në qoftë se nuk realizohet takimi i kërkuar me farmacistët, nuk merren masa konkrete nga ana juaj për të ndrequr dëmet e shkaktuara në shtojcën gusht 2015, si dhe nëse nuk përcaktohen garanci ligjore për përfaqësim real, dy palësh në kontratat pasuese, ne nuk pranojmë të jemi pjesë sa për emër e mënyrave dhe formave që ju do të përdorni për të dëmtuar sistemin farmaceutik.
Dëshirojmë të shprehim predispozicioni tonë maksimal si institucion garant për shërbimin, që midis Fondit dhe sistemit farmaceutik të hartohet dhe më pas të vendoset një kontratë e cila në themel të ketë:
- Përfaqësim dhe mbrojtje reciproke të interesave të ndërsjellta.
- Baza të shëndosha dhe orientuese që pacientit t’i garantohet shërbimi më cilësor.
- Transparencë maksimale.
- Stopim të abuzivitetit.
Ndaj për të siguruar të gjitha këto jemi në pritje të reagimit tuaj.


PRESIDENTE
Diana TOMA

17

Shtator 2015