Njoftime

Korespodenca e UFSH-se me Drejtorine e Pergjithshme te Tatimeve

REPUBLIKA E SHQIPËRISË URDHRI I FARMACISTËVE KËSHILLI KOMBËTAR

Drejtuar: Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Drejtorisë së Regjistrimit dhe Shërbimit të Tatimpaguesve.
Lënda : Kërkesë

Në bazë të kërkesave të farmacistëve, lidhur më mungesën e informacionit përsa  i përket Legjislacionit Tatimorë në fushën farmaceutike, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, mbështetur në Ligjin nr.9150, Dt.30/03/2003 “Për Urdhrin e Farmacistëve në  Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), si dhe nenin 30, “E drejta për informim dhe asistencë”, të Ligjit nr. 9920, date 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërise” (i ndryshuar), kërkon nga ana Juaj, që në bashkëpunim dhe me Urdhri të hartohet një grafik takimesh me specialistët tuaj, me farmacistë në të 12-të Rajonet, me qëllim kuptimin dhe zbatimin e legjislacionit tatimor.

Fokusi kryesor i informimit dhe asistencës të jetë:

1- Ligji për Procedurat Tatimore, (te drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesve, etj)
2- Ligji për TVSH-në. (transaksionet e shitjes dhe blerjes, dokumentacioni shoqërues, prerja e kuponit tatimore, etj)
3- Ligji për Sigurimet Shoqerore e shendetsore, (regjistrimi I punonjësve, praktikantëve, largimi I tyre, koha e deklarimit, dhe masat ndëshkimore etj ).
4- Përdorimi I pajisjeve fiskale dhe specifikat e tyre.

Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin, jemi në pritje të një përgjigje nga institucioni juaj.

PRESIDENTE
Diana  TOMA



REPUBLIKA E SHQIPËRISË URDHRI I FARMACISTËVE KËSHILLI KOMBËTAR

Drejtuar: Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Drejtorisë së Regjistrimit dhe Shërbimit të Tatimpaguesve.
Lënda: Kërkesë


Nisur nga shqetësime të ngritura prej subjekteve farmaceutike në rajone të ndryshme të vendit të cilat janë përcjellë pranë Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë ky i fundit mbështetur në Ligjin Nr. 9150 dt. 30/03/2003 neni 3, pika 2, “Për Urdhrin e Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë”, e ndien për detyrë t’u informojë lidhur me problematikat e ngritura si dhe të kërkojë që në bashkëpunim me institucioni tuaj të gjejë zgjidhje për to. Kjo problematikë që do i’u paraqesim është shtruar për zgjidhje dhe vite më pare, por bashkëpunimi midis dy institucioneve tona nuk solli zgjidhje. Nga kontrollet e ushtruara prej inspektorëve të instituconit tuaj në farmaci të ndryshme, këto të fundit janë penalizuar jo për mos prerje të kuponit tatimor, por për mos pajisje të kasës me të gjithë artikujt që ka farmacia.

Duam t’u sqarojmë sa më poshtë vijon:

Duke qenë se farmacia së pari është institucion shëndetësor, ajo ka lidhje dhe me institucione të tjera sikurse është FSDKSH, i cili bën rimbursim të plotë ose të pjesshëm të barnave që lëvron farmacia në aktitvitetin e saj. Si rezultat, FSDKSH ka vendosur për këtë qëllim rregullat dhe kërkesat e saj.

Së dyti, në të shumtën e rasteve barnat nuk tregtohen në bazë të ambalazhit të tyre fillestar, por sipas përshkrimit në recetë, i cili jo domosdosmërisht përputhet me ambalazhin dhe në të tilla raste farmacistët janë të detyruar ta fraksionojnë kutinë në disa njësi më të vogla sic janë tabletat apo ampulat, bazuar kjo në përshkriminn e recetës me rimbursim, detyrim ky ligjor që del nga kontrata me FSDKSH-në. Në këtë mënyrë Fondi nëpërmjet librit me listat e barnave të rimbursuara, parashikon hapjen e entitetit të kutisë së barit. Kjo gjë e bën të pa mundur përshkrimin e barit në kuponin tatimor si njësi me ambalazh kuti, ndërsa në qoftë se kërkojmë t’a regjistrojmë në tablet apo ampulë ajo nuk përmban të dhënat e kutisë.

Nga ana tjetër një pjesë e konsiderueshme e barnave që rimbursohen nga Fondi dhe përshkruhen me kuti nuk kanë në ambalazhin e tyre bar kod, fakt që dhe instalimi i pajisjes së posaçme elektronike nëpërmjet bar kodeve nuk do të ishte zgjidhje pa i bërë të tilla.

Ndodhur para kësaj situate, si dhe në mbështetje të plotë të luftës kundra informalitetit, ju drejtohemi Ju, në pozicionin e autoritetit më të lartë tatimor në vend, me të drejtën që ju jep ligji, që të realizojmë një bashkëpunim me Ju dhe strukturat Tuaja duke ngritur dhe grup pune me specialistë të mirëfilltë, përfaqësues të dy institucioneve tona apo dhe më gjerë (Ministria e Shëndetësisë dhe FSDKSH) për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi.

Gjithashtu kërkojmë nga Ju që deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, subjektet farmaceutike të mos penalizohen për këtë fenomen, pasi vec penalizimt financiar për subjektet, do të conte dhe në një çoroditje të shërbimit.

Shpresojmë në gjetjen e një fryme mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me institucionin Tuaj, e cila si për subjektin privat dhe për qytetarin do të sillte rezultate positive.

Ju faleminderit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.

PRESIDENTE
Diana TOMA



8

Tetor 2015