Njoftime

Fjala e presidentes së UFSH-së Diana Toma në takimin mbi informalitetin në hotel Sheraton

I nderuar Z. Kryeministër

I nderuar Z. Ministër i Shëndetësisë

Të nderuar pjesëmarrës!

Duke ju falenderuar për ftesën në këtë takim Urdhri i Farmacistëve mbështet nismën e qeverisë për zhdukjen informalitetit, e cila s’është gjë tjetër vec se rrjedhojë e zbatimit me rigorozitet të ligjit, si dhe konfirmon faktin se përpara ligjit të tërë duhet të jemi të barabartë.

Zhdukja e informalitetit nuk duhet parë si qëllim për të goditur por si qëllim për të forcuar shtetin dhe funksionimin e tij.
Zbatimi i ligjit nuk është detyrë vetëm e qeverisë por e cdo institucioni shtetëror, enti publik apo subjekti privat. Parë në këtë kuadër ne si Urdhri i Farmacistëve jemi përpjekur të cojmë drejt formalizimit pjesën profesionale pasi dhe ligji na i ngarkon një detyrë të tillë.
Kjo tendencë për formalizim u vërejt hapur në procesin e ricertifikimit të farmacistëve, detyrim ligjor ky që ne së fundmi e kryem.

Parë nga jashtë, formalizimi profesional mund të duket i vecuar ose i largët nga ai financiar por ne i quajmë zinxhir të njëra tjetrës pasi një profesionist farmacist me prezencë reale në subjekt shoqërohet me një pagë reale e për rrjedhojë me një detyrim tatimor real.

Për sa i takon sistemit farmaceutik lufta kundër informalitetit nuk ka më pike të dobët të saj lëshimin e kuponit tatimor pasi për vetë mënyrën se si është ndërtur dhe funksionon ky sistem faturimet janë të tëra të pasqyruara në tatime.

Për ne si Urdhër i Farmacistëve, lufta kundër informalitetit fillon me mirë-koordinimin e funksionimit të hallkave të sistemit farmaceutik privat me ato shtetëror.
Ky mirë funksionim do të sjellë si rezultat një kuadër ligjor dhe rregullator i cili vec përcaktimit të kornizave brenda të cilit duhet të shtrihet ai duhet t’i mundësojë këtij sistemi që të arrijë të rritet shëndetshëm dhe jo ne menyre klienteliste.

Duke besuar në faktin se cdo institucion duhet të ushtrojë konform ligjit kompetencat e veta por dhe të kërkojë nga institucionet e tjera rrugë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme Urdhri i Farmacistëve i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë një bashkëpunim të shëndoshë pasi vetëm në këtë formë mundet të:

  1. Sigurojnë dhe të garantojnë që profesionin e farmacistit ta kryejnë vetëm farmacistët, pra në këtë formë formalizojmë personelin
  2. Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit do të mundemi të formalizojmë dhënien dhe mënyrat e dhënie së barit, kjo gjë vec detyrimit profesional që është parakusht për ushtrimin e profesionit dhe i ngarkohet individit, para Ministrisë së Shëndetësisë do të ngrinte detyrimin që të merrte të tëra masat për ta vlerësuar realisht atë.
  3. Formalizimi në sektorin farmaceutik do të ndihmohej nepërmjet krijimit të recetës tip për të cilën flitet por që mungon ende në banakët e farmacive tona. Formalizimi realizohet nëpërmjet përditësimit të listës së barnave OTC.
  4. Gjithmonë në funksion të formalizimit mendojmë që në sistemin farmaceutik të aplikohet një program informatik i cili të vendosë një marrëdhënie të ndërsjelltë në kohë reale midis hallkave shtetërore që operojnë në këtë sistem sic janë, Ministria e Shëndetsisë, Qëndra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, Fondi, Tatimeve dhe subjekteve farmaceutike sic janë: importues, shpërndarës apo rrjet i hapur. Sot këto institucione nuk i kanë të koordinuar programet, ndaj farmacisë i duhet tjetër program për inventarizimin total, tjetër program për inventarizimin e barnave të rimbursueshme, tjetër program për recetën e rimbursueshme dhe tjetër program për recetën elektronike. Sa i përket tatimeve po prap i duhet tjetër program për ta lidhur me kasat. Fakti që farmacisti detyrohet të ndjeki të tëra këto programe dhe të tera këto brenda të njëjtës ditë të jemi të sigurtë që nuk i shërben të punuarit me transparencë.
  5. Kur flasim për informalitet perceptimi i parë të con tek individë privatë të cilët shkelin ligjin. E tillë është dhe ajo që quhet rëndomtë kontrabandë e barnave e cila i shërben informalitetit. A ka mundësi reale që kjo formë deri tani e paligjshme, informale por që në të shumtën e rasteve rezulton e domosdoshme dhe e diktuar nga kërkesat e pacientëve për të përmirësuar diagnozat e tyre, të eci konform ligjit dhe rregullave? Në konceptin tone si profesionist po, ekzistojnë mundësitë për të luftuar informalitetin dhe në këtë aspekt. Pasi në shoqërinë shqiptare ekziston pacienti që ka nevojë për këtë bar, që në Shqipëri futet në rrugë informale, ekziston subjekti i cili me investimet e veta mund ta mundësojë, dhe zgjidhja e për rrjedhojë formalizimi i mbetet në dorë institucioneve shtetërore. Në këtë formë kemi:

    - si punonjës të kujdesit shëndetësor një ofrim shërbimi,
    - si pacentë një kurim diagnoze,
    - si shtet nje transparencë në atë cfarë na qarkullon brenda tregut farmaceutik,
    - dhe si financa një rritje të derdhjeve në to.
  6. Po prap në kuadër të luftës kundër informalitetit në sistemin farmaceutik nuk mund të mos ndalesh në marrëdhënien e vendosur ndër vite midis Fondit si përfaqësues i institucioneve shtetërore dhe depove shpërndarëse dhe farmacive të rrjetit të hapur. Kjo marrëdhënie e cila themelet e saj i vendos nëpërmjet kontratave dypalëshe të cilat duhet të realizohen nëpërmjet konsultimeve me grupet përfaqësuese, duhet të jetë shumë transparente. Fatëkeqësisht nuk jemi para një situate të tillë gjë që u shpreh së fundmi me shtojcën e kontratës të lidhur në muajin gusht 2015.
  7. Ndonëse termi që përdoret është kontratë dypalëshë subjektet farmaceutike në mënyra indirekte detyrohen të firmosin një dokument i cili nuk përfshihet nga fryma e bashkëpunimit ku subjekti privat është ofrues i shërbimit dhe shteti blerësi i tij por nga një tendencë penalizimi me pa të drejtë e cila subjektin farmaceutik do e shtyjë të gjejë forma shpëtimi prej saj, forma të cilat në bazë nuk kanë kërkesë për formalizim.
Të tërë individët të cilët ushtrojnë një profesion aq më tepër kur ky profesion lidhet me shëndetin kërkon që nga ana financiare të vlerësohet drejt. Për sistemin tonë këtë kompetencë e kanë institucionet shtetërore të cilat në komisionet e krijuara Urdhrin e Farmacistëve nuk e shohin si institucion i cili duhet të ketë të drejtën e tij të japi mendimin dhe mbi këtë problematikë. Gjetur në këtë situatë farmacistët detyrohen të gjejnë forma të ligjshme por jo për nivelet e tyre profesionale për të krijuar një burim të ardhurash, forma këto të cilat jo gjithmonë e orientojnë farmacistin tek lartësimi i figurës të profesionistit. Mendojmë se sistemit farmaceutik në vecanti dhe atij shëndetësor në përgjithësi nuk i intereson një transparencë pa profesionalizëm.
Prandaj duke marrë për bazë dhe mënyrën e vlerësimeve të këtyre profesionistëve dhe në vendet e tjera ne si institucione s’do bëjmë gje tjetër vecse do t’i shtyjmë profesionistët drejt formalizimit të mëtejshëm pasi prej tij detyrimet karshi shtetit nuk do shihen si një pjesë që i redukton në mënyrë të konsiderueshme të ardhurat e tyre.
Përpjekjen për zhdukjen e informalitetit pa dashur të biem në përsëritje e përshëndesim dhe shprehim mendimin se Urdhri i Farmacistëve do të jetë pjesë e goditjes së tij por nga ana tjetër mendojmë se lufta përballë informalitetit fillon me përpjekjet për t’i krijuar një kuadër ligjor dhe rregullator sa me të saktë, sa më bashkëkohor, sa më përfshirës, të tëra subjekteve të cilave më vonë iu del si detyrë të zbatojnë ligjin e për rrjedhojë t’i thonë stop informalitetit.

15

Shtator 2015